Zyrtare: Kosova nuk është në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës
Ndërkohë që mbështetja e deklaruar nga shtetet e fuqishme vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, është e qartë se rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës do të jetë më e gjatë dhe më komplekse se sa është parashikuar fillimisht. Këtë e bëjnë të qartë zhvillimet e fundit nga agjenda e takimit […]
Ndërkohë që mbështetja e deklaruar nga shtetet e fuqishme vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, është e qartë se rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës do të jetë më e gjatë dhe më komplekse se sa është parashikuar fillimisht.
Këtë e bëjnë të qartë zhvillimet e fundit nga agjenda e takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës që do të mblidhet të premten.
“Kosova tani nuk është në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave”, ka thënë Steiner.
Sipas agjendës, ministrat e Punëve të Jashtme të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mbajnë sesionin e tyre vjetor më 17 maj 2024, në kuadër të 75-vjetorit të Organizatës.
Sipas agjendës, po ashtu ministrat do të shqyrtojnë punën e Organizatës në fusha të tilla si të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtat sociale dhe të drejtat e fëmijëve, demokracinë, sundimin e ligjit, luftën kundër dënimit me vdekje, arsimin dhe kulturën, pjesëmarrjen e shoqërisë civile dhe të rinjve, të drejtat e njeriut në epokën dixhitale, migrimin dhe trafikimin e qenieve njerëzore, mbrojtjen e gazetarëve dhe masat për të luftuar dezinformimin, antidiskriminimin dhe përfshirjen, barazinë gjinore dhe mjedisin.
Në fund të seancës ministrore, Lihtenshtajni do t’i dorëzojë Lituanisë presidencën e Komitetit të Ministrave.
Lidhur me këtë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, nuk duhet të përzihet me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).
Nëse përzihen, tha Kurti, dëm do t’i shkaktohej edhe dialogut për normalizimin e marrëdhënieve që zhvillohet në Bruksel, edhe Këshillit të Evropës si “institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.
Sipas një deklarate që lëshoi zyra e tij, Kurti i bëri këto komente në një takim me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it: SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë dhe Francës.
Kosova aplikoi për t’u anëtarësuar në këtë organizatë gati dy vjet më parë – më 12 maj, 2022.
Më 27 mars të këtij viti, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Bakoyyanis, e cila tha se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtar me të drejta të plota i organizatës, ndërsa Asociacionin e konsideroi si çështje të brendshme të Kosovës.
I përbërë prej 46 shtetesh anëtare, 27 prej të cilave anëtare të Bashkimit Evropian, Këshilli i Evropës është organizata kryesore e kontinentit për të drejtat e njeriut.
Serbia njoftoi së voni se ka ngritur një grup punues për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Kjo, përkundër marrëveshjes që ajo ka me Kosovën, për të mos e kundërshtuar anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare./Telegrafi/