Hasani: Përdorimi i armëve, sipas ligjeve ndërkombëtare

Sistemet autonome të armëve dhe kontrolli i tyre përmes Inteligjencës Artificiale ishin në fokus të Konferencës me temë “Njerëzimi në Udhëkryq” të organizuar në Vjenë nën kujdesin e ministrit Federal të Austrisë për Çështjet Evropiane, Alexander Schallenberg, ku mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani. Në ndërhyrjen e tij, kryediplomati shqiptar nënvizoi […]

Hasani: Përdorimi i armëve, sipas ligjeve ndërkombëtare

Sistemet autonome të armëve dhe kontrolli i tyre përmes Inteligjencës Artificiale ishin në fokus të Konferencës me temë “Njerëzimi në Udhëkryq” të organizuar në Vjenë nën kujdesin e ministrit Federal të Austrisë për Çështjet Evropiane, Alexander Schallenberg, ku mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani.

Në ndërhyrjen e tij, kryediplomati shqiptar nënvizoi se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, mbështet përdorimin e sistemit autonom të armëve, vetëm mbi bazën e ligjeve ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut.

“Përdorimi i sistemeve duhet bërë vetëm bazuar në normat, parimet, ligjet ndërkombëtare dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Besimi është kyç në shfrytëzimin e sistemeve autonome. NATO dhe vendet aleate duhet të ndërtojmë nivele të larta besimi si në teknologji, operacionalitet mbi të gjitha besim në publik”, tha Hasani.

Në vitin 2023, Shqipëria ka mbështetur dhe bashkë sponsorizuar Rezolutën “Për sistemin autonom të armëve vdekjeprurëse”, të propozuar nga Austria dhe të miratuar gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Rezoluta thekson pikërisht rëndësinë e përcaktimit të qartë të kuadrit rregullator të përdorimit të tyre, rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, mes aktorëve shtetërorë dhe jo shtetërorë.

Menjëherë pas Vjenës, Ministri Hasani do të udhëtojë drejt Brukselit ku do të marrë pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare BE-së dhe atyre kandidate, në kuadër të formatit të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE, të organizuar nga Presidenca belge e Këshillit të BE-së, me fokus sundimin e ligjit në kuadër të procesit të zgjerimit./Tv Klan