Kurti mori pjesë në panairin e bizneseve Hannover Messe, takoi sipërmarrës të kompanive të ndryshme

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi sot panairin e bizneseve Hannover Messe, që këtë vit po zhvillohet nën moton “Energizing a Sustainable Industry – World. Leading. Industry Show”, ku Qeveria e Kosovës për herë të parë ia mundëson bizneseve nga Kosova pjesëmarrjen aty. Hannover Messe është panairi më i madh ndërkombëtarë që mbulon […]

Kurti mori pjesë në panairin e bizneseve Hannover Messe, takoi sipërmarrës të kompanive të ndryshme
kurti-mori-pjese-ne-panairin-e-bizneseve-hannover-messe,-takoi-sipermarres-te-kompanive-te-ndryshme

kurti-mori-pjese-ne-panairin-e-bizneseve-hannover-messe,-takoi-sipermarres-te-kompanive-te-ndryshme

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi sot panairin e bizneseve Hannover Messe, që këtë vit po zhvillohet nën moton “Energizing a Sustainable Industry – World. Leading. Industry Show”, ku Qeveria e Kosovës për herë të parë ia mundëson bizneseve nga Kosova pjesëmarrjen aty.

Hannover Messe është panairi më i madh ndërkombëtarë që mbulon një gamë të gjerë të temave si automatizimi industrial, teknologjia e informacionit, furnizimet industriale, teknologjitë e prodhimit dhe shërbimet, energjia dhe teknologjitë e mobilitetit. Ai njihet si platformë kryesore për transformimin industrial në skenën ndërkombëtare dhe mbahet në Hanover të Gjermanisë nga data 22 deri më 26 prill 2024. Duke qenë panair me traditë dhe rëndësi, ai u vizitua edhe nga Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.

Me qëllim të promovimit të kompanive vendore në gjetjen e tregjeve të huaja për eksport të produkteve dhe shërbimeve, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka siguruar hapësirën prej 42 m2 për pjesëmarrjen e dhjetë bizneseve në këtë panair.

Kryeministri së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, Shefin e Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi dhe Këshilltaren Politike, Fëllanza Podrimja, paraprakisht u mirëpritën nga Drejtori Ekzekutiv i Deutsche Messe, Jochen Köckler, organizator i panairit.

Në panair delegacioni nga vendi ynë pati mundësi të takojë përfaqësues nga kompani të mëdha e prestigjioze si Microsoft, Siemens, Schneider Electric, e Bosch Rexroth.

Pas pjesëmarrjes në panair, kryeministri Kurti dhe të tjerët zhvilluan një drekë pune të organizuar nga Këshilli i Jashtëm Ekonomik e ku bashkëbiseduan me sipërmarrës të kompanive të ndryshme gjermane. Ai i njohu ata me zhvillimin e vendit tonë, ambientin e të bërit biznes dhe mundësitë që ofron vendi ynë për investime.

Ndërkaq, në mbrëmje kryeministri Kurti dhe delegacioni përcjellës janë të ftuar në darkën e shtruar nga Shoqata Federale e Industrisë Gjermane, Kryeministri i landit të Niedersachsen, Stephan Weil dhe Drejtori Ekzekutiv i Hannover Messe, ku i pranishëm do të jetë edhe ministri i Ekonomisë së Gjermanisë Dr. Robert Habeck.

Nesër, kryeministri Kurti do ta takojë Kryeministrin e landit Niedersachsen, Stephan Weil, kurse pasdite do të ketë një prezantim në panairin Hannover Messe, para takimeve tjera me kompani ndërkombëtare dhe mërgatën.