Ritentimi pas dështimit/ Thuhet se dëmet e luftës u evidentuan para 24 vjetëve, por nuk dihet ku kanë mbetur gjetjet

Njëzetë e katër vjet pas përfundimit të luftës, Republika e Kosovës, po synon që të bëjë evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga lufta e fundit. Periudha e evidentimit të krimeve të luftës, do të jetë për periudhën 1 janari 1998 deri më 20 qershor 1999. Kjo do të ndodhë pasi që Agjencia e Statistikave të […]

Ritentimi pas dështimit/ Thuhet se dëmet e luftës u evidentuan para 24 vjetëve, por nuk dihet ku kanë mbetur gjetjet
ritentimi-pas-deshtimit/-thuhet-se-demet-e-luftes-u-evidentuan-para-24-vjeteve,-por-nuk-dihet-ku-kane-mbetur-gjetjet

ritentimi-pas-deshtimit/-thuhet-se-demet-e-luftes-u-evidentuan-para-24-vjeteve,-por-nuk-dihet-ku-kane-mbetur-gjetjet

Njëzetë e katër vjet pas përfundimit të luftës, Republika e Kosovës, po synon që të bëjë evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga lufta e fundit. Periudha e evidentimit të krimeve të luftës, do të jetë për periudhën 1 janari 1998 deri më 20 qershor 1999.

Kjo do të ndodhë pasi që Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), nga 5 prilli ka nisur regjistrimin e popullsisë e krahas saj edhe evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga lufta e fundit në Kosovë, shkruan FrontOnline.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, më 13 korrik të vitit të kaluar, miratuan Ligjin për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, duke i hapur kështu rrugë themelimit të këtij instituti.

Në fakt, ky institut u rithemelua.

Për herë të parë ai ishte themeluar në vitin 2011, kur kryeministër ishte Hashim Thaçi.

Por, jetëgjatësia e tij në hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës ishte vetëm shtatë vjet, pasi në vitin 2018 ky institut u mbyll nga qeveria e atëhershme, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Hetemi: Instituti për Krime Lufte ka objektiva dhe mision të qartë, ka edhe një linjë buxhetore të veçantë

 

Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Krime Lufte, Atdhe Hetimi për Front Online, ka treguar për detyrat që i ka instituti që e drejton ai.

Hetemi ka njoftuar për hapat e mbledhjes së fakteve të dëmeve të luftës.

‘’Metodologjia për mbledhjen e të dhënave fillon me specifikimin e burimeve të tyre dhe detajimin e metodave për të mbledhur provat e nevojshme për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës. Kombinimi i burimeve të ndryshme do të sigurojë një bazë të qëndrueshme dhe të besueshme të të dhënave për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë’’, thotë ai.

Hetemi ka treguar se ku qëndron dallimi mes institutit të themeluar me 2011 e i cili u shua me 2018 dhe atij që udhëheq aktualisht.

‘’Diferenca kryesore midis institutit paraprak dhe IKKL lidhet me themelimin dhe mandatin. Instituti paraprak ishte themeluar me një vendim në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa IKKL është themeluar me ligj, dhe operon si agjenci në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës. Ka objektiva dhe mision të qartë, si dhe një linjë buxhetore të veçantë, duke gëzuar autonomi ligjore dhe financiare që e dallon nga instituti i mëparshëm’’, deklaron Hetemi.

Ai thotë se i përcjellë ndërgjegjja sa i përket mbledhjes së fakteve.

‘’Sa i përket shqetësimit për sfidat që lidhen me kohën dhe evidentimin e fakteve për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, është e rëndësishme të theksojmë se ndërgjegjësimi për këtë çështje është i përhershëm. Megjithatë, një avantazh që koha ofron është distanca emocionale e krijuar pas një periudhe të gjatë, e cila mund të ndihmojë në procesin e dëshmisë dhe pranimit të fakteve të vërteta nga dëshmitarët’’, thotë Hetemi për Front Online.

 

 

ASK: Do të bëjmë vetëm evidentimin e dëmeve të luftës, por jo edhe verifikimin e tyre

 

Zëdhënësja e ASK-së, Hazbije Qeriqi  për FrontOnline ka thënë se të dhënat për evidentimin e dëmeve të luftës do të merren vetëm si të agreguara dhe to të pasqyrohen ashtu, ndërsa me verifikimin e tyre duhet të merren institucionet përkatëse, përfshirë edhe Institutin për Krime Lufte.

‘’ASK për herë të parë në regjistër të popullsisë e ka futur në pyetësor edhe evidentimin e dëmeve të luftës. Ky evidentim bëhet vetëm përmes deklarimeve që i japin qytetarët e Kosovës. Ne i marrim të dhënat dhe do t’i publikojmë vetëm si të dhënë të agreguara, por nuk do t’i identifikojmë personat se kush ka dhënë të dhëna, ndërkaq për evidentimin e tyre dhe verifikimin e tyre merren institucionet përkatëse që ka krijuar Qeveria e Kosovës’’, thotë Qeriqi.

Qeriqi më tej ka sqaruar edhe formën se si do të bëhet evidentimi i dëmeve të luftës.

‘’Evidentimi i dëmeve të luftës do të bëhet me pyetësor të veçantë, Er1 do të jetë për ndërtesa, Er2 do të jetë për ekonomitë familjare, Er3 do të jetë për anëtarët e familjes dhe Er4 do të jetë pyetësori për dëmet e luftës së fundit në Kosovë pra në dëmet për njerëz dhe dëmet materiale’’ shton ajo.

 

Zëdhënësja e ASK-së, për FrontOnline po ashtu, ka treguar numrin e personave që do të angazhohen në regjistrimin e popullsisë.

‘’Sipas planifikimeve që kemi bërë në bazë të numrit të popullsisë nga viti 2011, janë planifikuar të angazhohen rreth 3500 regjistrues, d.m.th regjistrues që janë aktiv dhe 20% e tyre janë regjistrues rezervë, në qoftë se dikush nga ta e lëshon punën, ose punësohet diku tjetër dhe nuk angazhohet, pra janë diku 3500 regjistrues, janë afër 900 mbikëqyrës, janë formuar komisionet komunale në secilën komunale, si dhe është komisioni qendror që është formuar nga institucionet e Kosovës dhe është po ashtu edhe stafi i ASK-së’’, thekson ajo.

Qeriqi tregon se komplet kostoja e regjistrimit të popullsisë do të kushton rreth 12 milion euro

‘’Në bazë të intervistave që do të zhvillohen, edhe buxheti do të kushtoj aq. Pra nga përgatitja deri tek finalizimi i rezultateve finale do të jetë rreth 12 milion euro’’, përfundon ajo.

 

Grajqevci: Çdo komunë i ka të evidentuara dëmet e luftës, janë gjetjet që janë bërë menjëherë pas luftës

Kryetari i Këshillit Koordinues të familjarëve të personave të zhdukur, Ahmet Grajqevci për FrontOnline shprehet i lumtur që Kosova tashmë ka një Institut për Krime të Luftës, e që është bërë edhe me ligj.

Ai thotë se edhe instituti paraprak ka bërë punë të mirë edhe pse ka qenë pa ligj.

‘’Instituti i cili ka qenë i themeluar para 15 viteve, ai nuk ka qenë me ligj edhe nuk ka qenë me kushte adekuate, ata kanë punuar me aq sa kanë punuar por pa kushte. Një institut që sot është nxjerrë një ligj për të, që kemi luftuar për këtë institut e shyqyr tash është bërë edhe me ligj, ka me dhënë secili përgjegjësi, ose punon, ose shkon në shtëpi, ose shkon në burg. Jam i lumtur që është themeluar ky institut, që 25 vite merrem me të gjeturat e luftës’’, thotë Grajqevci.

 

Grajqevci: Në Fushë Kosovë vlera e dëmeve të luftës, në amvisërinë familjare, ka qenë diku 24 milionë euro

Kryetari i Këshillit Koordinues të familjarëve të personave të zhdukur, Ahmet Grajqevci për FrontOnline thotë se që 25 vjet është marrë me të gjeturat nga lufta e fundit në Kosovës, duke treguar se ka qenë pjesë e një komisioni ad hoc, i cili ishte themeluar menjëherë pas luftës.

‘’Menjëherë pas luftës, ka qenë një komision i cili është formuar Ad Hoc dhe një vit e gjysmë ka punuar në mbledhjen e dëshmive e krimeve të luftës dhe dëmeve të luftës. Çdo komunë i ka të evidentuara dëmet e luftës dhe e kanë nga një kopje, një kopje iu është dërguar arkivit komunal dhe një kopje i është dorëzuar arkivës së komisionit. Për shembull në Fushë Kosovë vlera e dëmeve të luftës, në amvisërinë familjare, ka qenë diku 24 milionë euro, pa u llogaritë dëmet e institucioneve, hekurudhës dhe fabrikave që kanë qenë në Fushë Kosovës’’, thekson ai.

I pyetur se ku i kanë lënë ato të gjetura, Grajqevci thotë se gjithë arkivin e kanë lënë tek kryetari i atij komisioni, Bajram Krasniqi.

‘’Ku i kanë lënë ato materiale nuk e di. Ne në mënyrë vullnetare kemi punuar, me 20 korrik 1999 është formuar ky komision me kërkesë dhe vendim të Hashim Thaçit dhe Qeverisë së Përkohshme dhe stafit politik të asaj kohe, për shkak që mos me i humbë gjurmët e luftës, sepse varrezat masive ishin të freskëta. Mbasi e kemi mbaruar punën gjitha materialet dhe raportet i kemi lënë në arkivin e komisionit, ku ka qenë kryetar avokat Bajram Krasniqi”, tha ai për Front Online.

 

 

Blakaj: Jo-serioz evidentimi i dëmeve të luftës bashkë me regjistrimin e popullsisë

 

Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK),  Bekim Blakaj, për FrontOnline, thotë se është jo-serioze të bëhet identifikimi i evidentimit të viktimave, dëmeve dhe krimeve të luftës së bashku me regjistrimin e popullsisë

‘’Mendoj që evidentimi i viktimave të krimeve të luftës , me të vrarë me të zhdukur, dhe evidentimi i dëmeve të luftës, së bashku me regjistrimin e popullsisë, normalisht nga ekipe të njëjta është jo serioz, në rend të parë, sepse duhet përgatitje i atyre që bëjnë këtë punë edhe nëse është mëndu ajo si do të bëhet, verifikimi i këtyre të dhënave që mblidhen në atë mënyrë’’ shprehet Blakaj për Front Online.

Blakaj me tej thotë se gjatë këtij procesi mund të ketë edhe lëshime të ndryshe, duke potencuar se kjo punë do të duhej të ndahej dhe të realizohej në forma tjera.

‘’Mund të ndodhë që të ketë lëshime të ndryshme, kështu që mendoj se do të duhej që të ndahet kjo punë, pra që evidentimi i dëmeve të luftës të bëhet nga ndonjë komision profesional, ndërsa evidentimi i viktimave të luftës do të duhej të bëhej nga instituti që është kriju, por me punën, sistemin përmes një fushate që ka për detyrë parësore regjistrimin e popullsisë për mua është jo serioze mund të dalin gabime për të cilat është shumë vështirë për me i verifiku si të tilla’’, shton ai.

 

Për Blakajn, forma më e mire e evidentimit do të ishte nëse Qeveria të krijonte komisione speciale për këtë punë apo të formonte trupa konkret, ose me këtë gjë të merrej Instituti për Krime Lufte.

 

‘’Besoj se Qeveria ka qenë dashur të jetë më e kujdesshme në këtë pikë, sepse ka mundur të krijoj trupa për këtë punë, apo të bëjë një komision i cili do të ishte i bërë me ekspertë, apo ta bënte instituti i themeluar. Duhet përgatitje e jashtëzakonshme, duhet një sistem informativ i jashtëzakonshëm që kishte me i shifru gjitha këto’’, përfundon ai.

 

Profesori Salihu: Nuk e di nëse do të ketë sukses evidentimi i dëmeve të luftës përmes ASK-së

Profesori i së drejtës ndërkombëtare Ismet Salihu thotë se sa ka qenë anëtar i Institutit për Krime Lufte gjatë periudhës 2011 e tutje, kanë punuar shumë dhe kanë bërë një mori hulumtimesh e kanë hapur ekspozita

‘’Kemi punuar afër shtatë vjet, kemi bërë hulumtime, botime të atyre hulumtimeve në gjuhën shqipe dhe angleze, për vrasje, për të zhdukurit, për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore. I kemi hapur pesë ekspozita në Austri, Turqi dhe në Tiranë, Prishtinë dhe kemi punuar në maksimum atë kohë. Botimet për vrasje, për të zhdukurit, me emër e me mbiemër i kemi vendos aty në hulumtimet dhe gjetjet tona’’, thotë profesori Salihu për FrontOnline.

Salihu shpreh pak skepticizëm nëse do të ketë sukses Instituti që u themelua së fundi.

 ‘’Ishalla ka sukses ky Institut i ri nëse punohet, ama ngadalë po shkon puna se që tri vite e gjysmë ka fillu me u përgatitë, tash si duket edhe një vit ose dy me ja nisë punës, ato vitet po shkojnë’’, thekson ai.

Ndërkohe sa i përket evidentimit të dëmeve të luftës, Salihu shprehet se nuk e di nëse do të ketë sukses një proces i tillë.